Ngec pedali i gazit, makth për adoleshentin shqiptar




Një adoleshent shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elez Lushaj, vuajti një makth pasi pedali i gazit në makinën e tij kishte ngecur.
16- vjeçari, që po udhëtonte në Teksas, iu lut forcave të policisë përmes telefonit për ndihmë.
Ai po udhëtonte me një Hyundai Elantra.
“Kam ngecur në makinë. Ju lutem bëni diçka,” thoshte ai, ndërkohë që operatori përgjigjej: “Po punoj për këtë, të premtoj që po punoj”.
Ndërkohë një makinë policie iu vu pas. Operatori i policisë tentoi të lidhej me shitësit e kompanisë Hyundai, por askush nuk kishte një zgjidhje.
Në fund, pasi nuk mundi të shmangë një kamion, makina e adoleshentit doli nga rruga, u rrotullua katër herë dhe ndaloi.
Për fat të mirë, ai shpëtoi pa asnjë plagë serioze, edhe pse ai thotë se shpina dhe qafa i dhembin sërish.